Plani i Ukrainës, është ai për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, brenda dy vjetëve.
Kështu të paktën mendon kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, i cili e ka bërë këtë deklaratë gjatë një konference për shtyp.
“Ukraina planifikon të bëhet anëtare e BE-së brenda dy vjetëve”, nënvizoi ai disa herë gjatë fjalës së tij, duke iu referuar një procesi të përshpejtuar të pretenduar, nisur edhe nga kapërcimi që Kievi ka bërë në marrjen e statusit si vend kandidat për në union.
Megjithatë, të tjera plane, ose më saktë afate, do të ketë vetë struktura organike e BE-së, për shkak të procedurave shumë rigoroze, të cilat duhen ndjekur, për të marrë fillimisht statusin, më pas për të nisur bisedimet e në fund për të konkretizuar aderimin.
Vetë presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka artikuluar disa herë më parë, se mund të duhen edhe dekada, që Ukraina t’i bashkohet grupimit të vendeve në Evropën perëndimore.
Pavarësisht kësaj, “optimizmi” i Shmyhal ishte i qëndrueshëm dhe i palëkundur, duke përsëritur disa herë me vendosmëri, se Ukraina do t’ia dalë në këtë arritje.
Vendi aktualisht gjendet ende nën agresionin rus në pjesën lindore të territorit. Vetëm së fundmi, Kievi ka nisur një kundërofensivë në Kherson, për të rikthyer në flamurin e verdhë e të kaltër rajonin e më pas për të parë më tej situatën në Donbass.
Ky i fundit, me dy rajonet e Donetsk dhe Luhansk, gjendet tërësisht në kontroll të Moskës.