Amerikanët po debatojnë nëse do të marrin dozën përforcuese të vaksinës së përmirësuar kundër COVID-19, të miratuar kohët e fundit nga autoritetet.
Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se edhe pse këto vaksina u miratuan me shpejtësi, dozat që kanë veprim të dyfishtë, janë të sigurta dhe duhet të jenë në dispozicion të pjesës tjetër të botës.
Në kryeqytetin amerikan, opinionet janë të ndryshme në lidhje me nevojën për marrjen e një doze përforcuese të vaksinës që lufton virusin fillestar SARS-CoV-2 si dhe nënvariantet BA.4 dhe BA.5 të Omicronit, përgjegjëse për shumicën e infektimeve aktuale.
“Shumë kolegje mund të jenë duke u përballur me infeksione ndaj marrja e një doze përforcuese është mënyra e duhur”, thotë për Zërin e Amerikës studenti Kobie Andrews.
“Nuk kam nevojë për një dozë tjetër. Shpresoj që antitrupat që kam marrë nga vaksinat e mëparshme të funksionojnë”, thotë Trinity Turner, studente e infermierisë.
Ndërsa njoftohen rreth 200 raste infektimesh në ditë në kryeqytetin amerikan, organet shëndetësore të Uashingtonit duan që të gjithë banorët e qytetit të mund të marrin vaksinën.
“Kjo dozë ka një ndryshim të vogël nga vaksina që kemi marrë prej dy vitesh. Kjo dozë është e rëndësishme për sistemin imunitar, sepse lufton variantet që po qarkullojnë tani”, thotë Dr. Thomas Farley, me Departamentin e Shëndetësisë së qytetit të Uashingtonit.
Për të ndaluar përhapjen e infektimeve, autoritetet federale miratuan dozat përforcuese kunër variantit Omicron, por pa i testuar më parë tek individët. Jo të gjithë janë të kënaqur me këtë, por ekspertët thonë se vaksina është e sigurtë.
Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrejtit Skype me Dr. Jesse Goodman, ish-shkencëtar i lartë që sherbeu me agjencinë rregullatore të barnave.
“A pres probleme? A po trajtoheni ju si testues? Unë mendoj se jo. Autoritet shëndetësore po balancojnë përfitimet e mundshme nga vaksina me rreziqet”.