Parlamenti Evropian mund të emërojë të hënën e 12 shtatorit kreun e ri të krahut administrativ të institucionit të BE-së.
Paçka se është pak i njohur për publikun e gjerë, Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit Evropian është një nga pozicionet më të fuqishme brenda flluskës së BE-së.
Teksa mban një rol administrativ, përzgjedhja e tij ka qenë gjithmonë një çështje shumë politike dhe e politizuar pasi zyrtari i lartë zgjidhet nga vetë politikanët.
Sekretari i përgjithshëm, referuar rregullave shumë të përmbledhura parlamentare, emërohet nga e ashtuquajtura Byroja e parlamentit, e cila përfshin presidentin, nënkryetarët dhe kuestorët që merren me çështje administrative.
Ai drejton organizatën parlamentare, me mbi nëntë mijë njerëz në staf, por bën shumë më tepër se kaq.
Mund të ndikojë në agjendën e parlamentit, mbikëqyr pronat e paluajtshme të parlamentit dhe merr vendime kyçe për personelin.
Zyrtari aktual Klaus Welle jep dorëheqjen pas 13 vitesh në fund të këtij viti.
Sipas zyrtarëve të parlamentit, axhenda – jo publike – e Byrosë për të hënën përfshin “burimet njerëzore”, që do të thotë se eurodeputetët do të dëgjojnë secilin nga katër kandidatët me nga një prezantim.
Emrat e tyre nuk janë zyrtarisht publikë.
Sakaq, kandidati kryesor është Alessandro Chiocchetti, kreu i kabinetit të presidentes aktuale të Parlamentit Evropian Roberta Metsola, e cila vjen nga Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë, grupi më i madh në parlament.
Chiocchetti ka shërbyer me ish-presidentin e parlamentit Antonio Tajani, gjithashtu nga EPP-ja, një aleat i gjigantit politik italian Silvio Berlusconi, dhe gjithashtu ka punuar me Welle.
Kandidatë të tjerë vijnë nga administrata e parlamentit, drejtorë të përgjithshëm të fushave të ndryshme brenda parlamentit.