Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ende beson se ka pasur të drejtë kur ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Ai i ka bërë këto deklarata të mërkurën, pas një bisede telefonike 90-minutëshe që ka zhvilluar me presidentin rus një ditë më parë.
“Fatkeqësisht, nuk mund të them se ekziston bindja që nisja e luftës ka qenë gabim”, u ka thënë Scholz gazetarëve.
“As nuk ka shenja për qasje të re”, ka thënë lideri gjerman në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Gjeorgjia, Irakli Garibashvili.
Përgjatë bisedës me Putinin, Scholz i ka bërë thirrje liderit rus që të synojë një zgjidhje diplomatike “të bazuar në armëpushim, tërheqje të plotë të forcave ruse dhe respektim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”.
Largimi i trupave ruse nga Ukraina është mënyra e vetme për t’i dhënë “paqes një mundësi në këtë rajon”, ka thënë Scholz të mërkurën.
Ndonëse Putini nuk ka lëvizur nga pozicionet e veta, kancelari gjerman ka thënë se është e domosdoshme që të vazhdojnë bisedat me liderin rus.
“Është e drejtë që të flasim me njëri-tjetrin dhe të themi atë që duhet thënë në këtë temë”, ka thënë mes tjerash Scholz.