Liderët botërorë kanë bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të armiqësive midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Këto thirrje vijnë pasi pothuajse 100 ushtarë u vranë në luftimet në kufirin midis këtyre dy shteteve. Këto janë përleshjet më vdekjeprurëse që nga përfundimi i luftës së vitit 2020 mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha më 13 shtator se i janë vrarë 50 ushtarë, ndërkaq Armenia raportoi për të paktën 49 ushtarë të vrarë. Luftimet kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kombet e Bashkuara që t’u bëjnë thirrje të dyja shteteve që të ndalin luftimet. Por, në orët e para të 14 shtatorit, Ministria e Mbrojtjes së Armenisë akuzoi Azerbajxhanin se ka rinisur granatimet.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve që në mënyrë urgjente të ulin tensionet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian, dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Zëdhënësi i tij, Ned Price, tha se Uashingtoni do të “shtyjë përpara ndaljen e menjëhershme të luftimeve dhe një zgjidhje paqësore” midis shteteve fqinje.
Blinken i ka thënë Aliyevit dhe Pashinianit se konflikti “nuk është në interes të askujt” dhe u ka bërë thirrje palëve “që të bëjnë gjithçka të mundshme që të tërhiqen nga konflikti dhe t’u rikthehen bisedimeve për arritjen e një paqeje afatgjatë”.
Ndërkaq, zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se Franca do të ngrehë si çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përplasjet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.