Me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 20 shtator liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në New York.
Këtë takim e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda BE-së në Bruksel, të cilat kanë thënë se “tashmë është bërë traditë që në javën e shtatorit kur në New York zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të mbledh në takim të tillë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Këto burime kanë thënë se nuk e dinë cili shtet do të përfaqësohet në cilin nivel, por janë shprehur të bindur se të gjitha shtetet do të marrin pjesë.
Kosovën në javën e takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York do ta përfaqësojë presidentja, Vjosa Osmani.
Burimet kanë thënë po ashtu se aty do të diskutohet për situatën globale, e ndryshuar në mënyrë dramatike pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pikërisht lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si një prej arsyeve shtesë që problemet e mbetura në këtë rajon duhet të zgjidhen sa më parë, në mënyrë që të parandalohet rritja e tensioneve.
Ka një varg zhvillimesh që pritet të ndodhin në javët dhe muajt në vijim në raportet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, mes tyre edhe një samit që pritet të zhvillohet në fillim të tetorit në Pragë. Aty për herë do të diskutohet për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane, një format ku do të ishin vendet e BE-së dhe vendet tjera evropiane që nuk janë anëtare formale të bllokut./REL