Fjalimi i Presidentit rus, Vladimir Putin që shpalli mobilizimin e pjesshëm shtatë muaj pas pushtimit të Ukrainës ka shkaktuar një reagim zinxhir.
Ministrat e jashtëm evropianë që ndodhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pritet të mbajnë një takim urgjent në sfondin e zhvillimeve në Ukrainë, raportojnë mediat greke.
Zëdhënësi i BE, Peter Stano tha më herët se “Putini po përdor armët bërthamore si pjesë e arsenalit të tij të terrorit dhe kjo është e papranueshme”, duke i bërë thirrje Komunitetit Ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Putinit “të ndalojë këtë sjellje të papërgjegjshme”.
Kryeministrja britanike Liz Truss dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen kanë thënë se thirrja e Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm është një “deklaratë dobësie”.
Dyshja lëshuan një deklaratë të përbashkët pas takimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti rus njoftoi një mobilizim të pjesshëm ushtarak, me 300,000 rezervistë që do të thirren ndërsa Kremlini përpiqet të rimarrë terren përballë një kundërsulmi nga forcat e Ukrainës.