Autoritetet ruse premtuan të dielën se do të korrigjojnë “gabimet” që ata bënë në kuadër të rekrutimit të pjesshëm të shpallur nga Presidenti Vladimir Putin të mërkurën, pasi njerëzit që duhej të ishin përjashtuar u thirrën për të shërbyer në ushtri.
Rastet e shumta të personave që ishin mbi moshën, të sëmurë apo që duhej të përjashtoheshin për arsye të tjera shkaktuan reagime të forta në rrjetet sociale, duke vënë në pozitë të vështirë autoritetet.
Në rajonin e Volgogradit, u thirr për të shërbyer një pensionist 63-vjeçar, i cili vuante nga një formë e rëndë e diabetit dhe probleme me trurin. Ai u paraqit në qendrën stërvitore por u dërgua në shtëpi.
Në të njëjtën zonë u thirr edhe drejtori i një shkolle të vogël rurale, megjithëse nuk ka shërbyer në ushtri. Pasi vajza e tij publikoi rastin me një video në rrjetet sociale, edhe ai mundi të kthehej pranë familjes së tij.
Gjithashtu në listën e rekrutimeve ishin dhe infermieret dhe mamitë, pa ndonjë përvojë ushtarake. Shumë studentë thanë gjithashtu se ishin rekrutuar edhe pse autoritetet thanë se do të tërhiqeshin.