Giorgia Meloni ka kaluar tre dekada duke luftuar në rrugën e saj drejt majës së politikës italiane. Por pavarësisht aftësive të saj politike, 45-vjeçarja nga Roma, vullneti dhe vendosmëria e fortë e së cilës kanë bërë që të krahasohet me Margaret Thatcher, ka përvojë të kufizuar në qeveri.
Nëse Meloni konfirmohet si kryeministre gjatë javëve të ardhshme, ajo do të jetë në krye të drejtimit të Italisë në një nga periudhat e saj më delikate, duke u përballur me sfidat e mëdha nga kriza energjetike dhe inflacioni i lartë deri në një recesion të mundshëm dhe një valë dimërore të Covid-19.
Sfida e saj më e menjëhershme, megjithatë, do të ishte krijimi i një kabineti që është mjaftueshëm i përshtatshëm për të qeverisur dhe mjaftueshëm i fortë për të qëndruar. Një person i afërt me Melonin i tha Guardian javën e kaluar se ajo ishte gati të bëhej kryeministre, duke hedhur poshtë thashethemet në fund të fushatës se detyra e frikshme po e fuste atë në panik.
Por lufta e saj mund të jetë gjetja e figurave të përshtatshme nga partia e saj Vëllezërit e Italisë, e cila ka origjinë neofashiste, për të plotësuar postet ministrore. Një nga vendimet e saj më të rëndësishme do të jetë se kush do të marrë drejtimin e Ministrisë së Financave. Në fillim të fushatës zgjedhore, ajo përmendi Giulio Tremonti, një ministër financash në të gjitha ish-qeveritat e Silvio Berlusconit, e fundit prej të cilave e solli Italinë në prag të kolapsit financiar.
Një kërcënim tjetër për stabilitetin e mundshëm të qeverisë së saj mund të vijë nga brenda koalicionit të saj, i përbërë nga partia e ekstremit të djathtë Lega, e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Berlusconit. Aleanca është përpjekur të qëndrojë në një front të bashkuar, por Salvini, popullariteti i të cilit është pakësuar shumë prej rritjes së Melonit, e gjen të pamundur perspektivën për t’u bërë kryeministër, një rol që ai e ka lakmuar prej kohësh. Në tetor të vitit të kaluar, pasi Vëllezërit e Italisë arritën të tërhiqnin votat nga Lega në bastionet e saj veriore në zgjedhjet lokale, një regjistrim sekret zbuloi se Salvini godiste Melonin, duke e quajtur atë një “ccarje b…”.
Rivaliteti mes dyshes ka filluar të ziejë që atëherë, dhe ndërsa ata ndajnë disa politika të përbashkëta, së fundmi ata u përplasën për një nga temat më të rëndësishme të momentit – sanksionet kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Meloni është zotuar se qeveria e saj do të vazhdojë të mbështesë sanksionet, ndërsa Salvini i ka kritikuar si një “gjunjëzim i Italisë”.
Nadia Urbinati, një teoriciene politike në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut dhe Universitetin e Bolonjës, tha se nëse Vëllezërit e Italisë fitojnë pjesën më të madhe të votave, atëherë Meloni “natyrshëm” do të jetë lideri i koalicionit. “Salvini është në rënie dhe për një megaloman si ai, kjo [do të] ishte e padurueshme, kështu që ka të ngjarë që të ketë tension psikologjik.”
Ndërkohë, edhe Berlusconi përflitet se nuk është aq mbështetës ndaj Melonit, e cila ishte ministre i Rinisë në qeverinë e tij të tretë.
Një pjesë e hijeshisë së Melonit për votuesit ka qenë aftësia e saj për të qëndruar kundër dy burrave, por ruajtja e unitetit do të jetë një punë pothuajse e pamundur në muajt në vijim, duke pasur parasysh rivalitetet personale, sipas ëolfango Piccoli, një bashkë-president i kompanisë kërkimore Teneoi me bazë në Londër.
“Një performancë e dobët nga Lega dhe Forza Italia [në zgjedhje] potencialisht do të komplikojnë jetën e Melonit, kështu që do të jetë e rëndësishme të jesh mbi ata, pasi në të kundërt ata do të fillojnë të bëjnë zhurmë dhe veçanërisht në tema që Meloni është e vështirë t’i trajtojë si pensionet dhe sanksionet ruse”, tha ai.
Meloni gjithashtu do të duhet të ruajë popullaritetin dhe besimin në mesin e votuesve të saj.
“Ajo që kemi parë nga elektorati italian në 10 vitet e fundit është shumë e paqëndrueshme,” tha Piccoli. “Dhe gjithashtu ajo që ne po shohim është se partitë politike po bëhen të njohura shumë shpejt, por po aq shpejt zbresin në votime.
“Pra, kjo është një sfidë për Melonin, veçanërisht nëse kemi një dimër të ashpër dhe nëse gjërat mbeten të komplikuara ose bëhen më të ndërlikuara me Ukrainën”.
The Guardian