Tre sirianë që ishin strehuar nën një pemë u vranë nga rrufeja në qendër të Sofjes, tha të martën mbrëma një zëdhënëse e agjencisë së fatkeqësive.
Një tjetër sirian që ishte me ta është shtruar në spital në gjendje të rëndë. Viktimat ishin të moshës 20-30 vjeç.
Sipas radios publike BNR, një burrë u plagos gjithashtu nga rrufeja në një kopsht publik në periferinë perëndimore të kryeqytetit bullgar.
Rreth 800 rrufe goditën Sofjen brenda një ore, sipas shërbimit meteorologjik. Breshëri ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe përmbytje në shtëpi dhe nënkalime.
Mundësia që dikush të goditet nga rrufeja është 1 në 1 milion, sipas vlerësimeve të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë.
“Kur godet rrufeja, duhet të strehoheni në një vend të sigurt. Pemët sigurisht nuk janë vende të sigurta”, kujtoi departamenti i zjarrfikësve në gusht, kur tre persona u goditën nga rrufeja dhe u vranë para Shtëpisë së Bardhë në Uashington.