Numri i viktimave nga të shtënat në një shkollë në Rusi është rritur në 17, teksa në Republikën ruse të Udmurtias është shpallur ditë zie, në nderim të viktimave.
Të shtënat në shkollën ruse ndodhën më 26 shtator. Nga zyra e guvernatorit të Udmurtias thanë më 27 shtator se edhe dy persona vdiqën gjatë natës dhe sipas autoriteteve deri më tani kanë vdekur 11 fëmijë dhe gjashtë të rritur.
Ky ishte sulmi i katërt në një shkollë në rajonin e Volgës në 15 muajt e fundit.
Komiteti hetues i Rusisë tha më 26 shtator se sulmuesi është identifikuar si Artyom Kazantsev, 34 vjeç. Ai kishte qenë nxënës i shkollës numër 88, ku vijojnë mësimin filloristët dhe ata të shkollës së mesme.
Sulmuesi, që sipas disa mediave kishte pasur të veshur një bluzë me simbole naziste, vrau veten në vendin e ngjarjes, tha komiteti.
Aleksandr Shaklein, shef i spitalit kryesore në Izhvesk të Udmurtias – ku ndodhet shkolla – tha më 27 shtator se 16 fëmijë dhe dy të rritur aktualisht gjenden në spital. Ai shtoi se gjashtë fëmijë dhe dy të rritur janë në njësinë e kujdesit intensiv.
Sipas Shaklein, 15 pacientë do të transportohen në Moskë për trajtim të mëtejmë.
Komiteti hetues tha më herët se Drejtoria kryesore e hetimeve në Moskë është duke hetuar të shtënat në këtë shkollë.
Të shtënat në shkolla dhe institucione arsimore në Rusi dhe ish-republikat e tjera sovjetike ishin shumë të rralla. Por, viteve të fundit numri i incidenteve të tilla ka nisur të rritet./REL