Kazakistani, vend në Azinë Qendrore, është mbushur me rusë që i druhen luftës së përgjakshme të Kremlinit në Ukrainë.
Prej se presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi mobilizim të pjesshëm ushtarak për këtë luftë, më 21 shtator, pamjet e rusëve që enden rrugëve të Kazakistanit me çanta shpine, janë bërë të zakonshme.
Ashtu duken edhe radhët në kufijtë e shteteve, ku rusët mund të kalojnë pa viza. Panikun e kanë thelluar raportet se Rusia mund t’i mbyllë së shpejti daljet, së paku për burrat në moshë luftarake.
Në Oral të Kazakistanit, ku një kinema e quajtur “Cinema Park” ka ofruar strehim për rreth 200 rusë fundjavën e kaluar, korrespondentët e Radios Evropa e Lirë kanë parë banorë vendas duke u ofruar pilaf rusëve të mbledhur në stacionin e trenit të qytetit.
“U ndihmojmë sa të mundemi. Nëse do të mund të bënim më shumë, do të bënim”, tha një vullnetar me emrin Miras.