Turqia i është bashkuar komunitetit ndërkombëtar në dënimin e përpjekjes së Rusisë për të aneksuar paligjshëm edhe katër rajone ukrainase, teksa tri shtete të Baltikut i kanë bërë thirrje NATO-s që të nisë procedurat e përshpejtuara për të pranuar Ukrainën në aleancën perëndimore.
Ministria e Jashtme e Turqisë më 1 tetor tha se veprimet ruse përbëjnë “shkelje të rëndë” të ligjit ndërkombëtar, duke theksuar se Ankaraja po ashtu refuzon të njohë aneksimin e paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia më 2014.
“Ne përsërisim mbështetjen tonë për zgjidhjen e kësaj lufte, ashpërsia e së cilës po vazhdon të rritet. Ne mbështesim një zgjidhje të bazuar në paqe që mund të arrihet përmes negociatave”, u tha në deklaratën e Turqisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 30 shtator nënshkroi dokumentet për zyrtarizmin e përpjekjeve të Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, territore të pushtuara nga forcat ruse. Më herët, Moska mbajti referendume të rreme në këto katër rajone, votime që janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.