Të gjithë e mbajmë mend për golat e tij të shumtë, e ku më të bukurin sigurisht që ishte ai ndaj Rumanisë në Euro 2016, që i dha fitoren e parë dhe historike Shqipërisë në një kompeticion të tillë futbollistik europian.
Ai është elbasanasi Armando Sadiku, i cili nuk vesh fanellën kuqezi që prej shtatorit të vitit 2020, kur luante si titullar në humbjen 0-1 ndaj Lituanisë dhe dy vite larg Kombëtares janë vërtetë shumë për ish-bomberin kuqezi.
Ky i fundit, në një intervistë live ka deklaruar se mezi e pret një tjetër ftesë në Kombëtaren kuqezi, teksa aktualisht, në moshën 31-vjeçare, Sadiku ka rigjetur veten në Segunda Division të Spanjës, ku ka shënuar 4 gola me fanellën e Cartagenës.
‘Unë dua të kthehem të luaj me kombëtaren, sidomos tani që jam duke luajtur dhe shënuar, pasi po kaloj një formë shumë të mirë. Duke njohur veten time, e di që mund të jap ende shumë për të dhënë në Kombëtare, por edhe në karrierën time.’, u shpreh Sadiku.