Bosnja u gjend e përfshirë nga konfuzioni të hënën ndërsa dy kandidatët rivalë serbë shpallën secili fitoren në zgjedhjet që duket se do t’i shtojnë më shumë pasiguri skenës politike në këtë vend. Votuesit shprehen skeptikë për pretendimin e fitores nga të dy kandidatët për postin e presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës.
Ndërsa vazhdonte procesi i numërimit të votave të hënën, udhëheqësi i hershëm i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u duk se ishte pranë humbjes kur rivalja Jelena Trivic shpalli fitoren në garën për presidencën e Republikës Serbe të Bosnjës.
“Po. Kjo ishte një fitore e popullit. Siç e kam thënë shumë herë gjatë fushatës, kjo nuk duhet të jetë fitorja ime personale apo fitorja personale e dikujt prej nesh. Kjo duhet të jetë fitorja e Republikës Serbe”, deklaroi zonja Trivic.
Milorad Dodik kërkon mandatin e tretë si president i Republikës Serbe, pasi mbajti një post edhe në presidencën trepalëshe të Bosnjës.
“Rezultatet na mundësojnë të themi seriozisht se unë fitova zgjedhjet presidenciale. Faleminderit të gjithëve që morën pjesë në zgjedhje, atyre që votuan për mua dhe atyre që nuk votuan për mua. Mendoj se Republika Serbe ka kaluar një test serioz demokratik”, deklaroi ai.
Ndërsa zoti Dodik kërkon mandatin e tretë si president, ai ka ushqyer vazhdimisht tensionet me thirrjet e shpeshta që serbët e Bosnjës të distancohen edhe më tej nga institucionet qendrore të vendit. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij në muajin janar.