Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj Elon Musk, pasi shefi i Tesla-s postoi një sondazh në Tëitter me sugjerimet e tij për t’i dhënë fund pushtimit rus.
Musk u kërkoi 107.7 milionë ndjekësve të tij të votojnë për idetë që përfshinin dhënien e territorit Rusisë.
Si përgjigje, Zelensky postoi sondazhin e tij duke pyetur përdoruesit nëse u pëlqente më shumë personi më i pasur në botë kur ai mbështeti Ukrainën, apo kur mbështet Rusinë
Idetë e Musk përfshinin votim në pjesë të Ukrainës të pushtuara nga Rusia që Rusia thotë se po i anekson.
“Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit”, tha miliarderi.
Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur tashmë katër rajone të Ukrainës si pjesë të Rusisë, pas të ashtuquajturave referendume të denoncuara nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet.
Musk sugjeroi gjithashtu se bota duhet ta njohë zyrtarisht Krimenë e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si pjesë e Rusisë.
Dhjetë orë pasi u postua sondazhi kishte marrë më shumë se 2 milionë vota.
Zelensky u përgjigj me sondazhin e tij duke pyetur: “Cili Elon Musk ju pëlqen më shumë? Ai që mbështet Ukrainën (ose) Ai që mbështet Rusinë.”
Tetë orë pasi u postua, ai sondazh ishte votuar më shumë se 1.5 milion herë.
Më herët gjatë pushtimit rus, kompania e internetit satelitore e zotit Musk dërgoi pajisje në vend.
Kjo fitoi popullaritetin e Musk në Ukrainë dhe më pas ai u ftua nga Zelensky për ta vizituar kur lufta me Rusinë të mbarojë.