Kriza globale energjetike e shkaktuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës po ndikon edhe tregun e makinave elektrike. Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, kostoja e funksionimit të makinave elektrike po u afrohet atyre që operojnë me karburant.
Sipas ekspertëve, kjo mund të vonojë tranzicionin nga makinat me karburant tek ato elektrike.
Një nga argumentet më të forta në favor të makinave elektrike ka qenë kostoja e ulët e operimit të tyre krahasuar me ato që funksionojnë me karburant.
Deri më tani, mendohej se kostoja e karikimit të makinave elektrike ishte shumë më e ulët se mbushja e atyre që operojnë me benzinë ose naftë.
Për shkak të krizës globale të energjisë, kostoja e energjisë elektrike në Britani është tetëfishuar që nga shkurti, thotë Zyra e Tregut të Karburantit dhe Energjisë Elektrike (Ofgem).
Si në pikat publike të karikimit në rrugë, autostrada dhe qendra tregtare, ashtu edhe në shtëpi, karikimi e një makineje elektrike ka qenë gjithnjë e më i shtrenjtë këtë vit.
Sipas kompanisë “RAC”, kostoja e karikimit të makinave elektrike u rrit me 42 për qind që nga maji në Britani.
“Në disa nga pikat më të sofistikuara, karikimi me energji elektrike mund të kushtojë më shumë sesa mbushja e një makine me naftë ose benzinë.
Një nga arsyet e rritjes eksponenciale të shitjeve të makinave elektrike ka qenë kostoja më e ulët e operimit të tyre”, thotë Jim Holder nga kompania Haymarket Automotive.
Ai thekson se karikimi i një makine elektrike në shtëpi do të vazhdojë të jetë më i lirë se mbushja me benzinë ose naftë, pavarësisht rritjes së kostos së energjisë.