Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bën thirrje partnerëve të aleancës për më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore ai e konsideron të vogël.
Jens Stoltenberg referoi në kuadër të aktivitetit organizuar në Forumin e Berlinit për Politikën e Jashtme nga fondacioni Körber: Janë kohë dramatike, për Europën, për NATO-n, për Gjermaninë.
Lufta në Ukrainë po përshkallëzohet nga sulmet ajrore ruse ndaj qyteteve dhe nga kërcënimet e mëtejshme nukleare të Moskës.
Megjithatë Stoltenberg është i sigurt: “Putin nuk do t’ia dalë” të thyejë vullnetin luftarak të popullit ukrainas. Me ndihmën e mbështetjes ushtarake perëndimore është bërë e mundur të neutralizohen shumë raketa dhe dronë rusë. Stoltenberg vlerëson veçanërisht sistemet e mbrojtjes nga ajri të dërguara nga Gjermania.
Me ndihmën nga jashtë është bërë e mundur të ndalet depërtimi rus ndaj Kievit, Rusia asnjëherë nuk ka arritur të ketë epërsinë ajrore të shpresuar mbi Ukrainë dhe në territore në lindje e në jug kanë qenë të mundura rimarrjet e kontrollit nga Ukraina.
Kreu i NATO-s u kërkon aleatëve të rezistojnë: Vendet anëtare duhet “të japin mbështetje sa të jetë e nevojshme dhe për aq kohë sa ajo të jetë e nevojshme”.