-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

VOA flet për mandatin e Olta Xhaçkës: Opozita dhe shumica, me raporte të kundërta!

Kryesoret

Në Tiranë, Këshilli parlamentar për Mandatet dhe Imunitetin i përcolli sot Kuvendit dy raporte pro dhe kundër. Përkatësisht, nga opozita dhe shumica socialiste, mbi mocionet për mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në raportin e opozitës theksohej se deputetja Xhaçka është në konflikt interesi. Kjo sipas PD, pasi kompania e bashkëshortit të saj ka përfituar pasuritë publike.

Por socialistët pohuan se rasti nuk ka të bëjë me konflikt interesi. Ndaj ata propozuan që të mos i përcillet Gjykatës Kushtetuese. Të dy raportet do të votohen në seancat plenare të Kuvendit, ku socialistët kanë shumicën.

Deputetët opozitarë dhe ata socialistë nuk ranë dakord në Këshillin e mandateve që të dilnin me një raport të përbashkët. Në raportin e opozitës thuhet se Kuvendi, ka për detyrë vetëm ta përcjellë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas opozitës, Xhaçka shkeli Kushtetutën dhe gjendet në konflikt interesi. Kjo sepse shoqëria e bashkëshortit të saj përfitoi statusin e investitorit strategjik si dhe të drejtën e përdorimit për një periudhë 30 vjeçare të bregut të detit pranë hotelit turistik, që pritet të ndërtohet.

Por deputetët socialistë propozuan se dy mocionet e sjella nga deputetët opozitarë nuk duhen dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk lidhen me nene të Kushtetutës, që Kuvendi të mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Sipas raportit të socialistëve, shoqëria e bashkëshortit të deputetes Xhaçka do të ndërtojë me leje në një truall privat. Dhe nuk ka ndonjë kontratë me institucione për të përfituar nga prona publike. Relatorja socialiste, Klotilda Bushka, theksoi se Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje nga Kuvendi, jo automatikisht nga mocionet.

Në shtatorin e vitit të kaluar, shoqëria e bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka iu dha statusi i investitorit strategjik prej Komitetit të Investimeve Strategjike. Kjo shoqëri e fitoi këtë status për të ndërtuar një objekt turistik prej 10 mijë 500 metra katror në një truall pronë private në Himarë. Qeveria i krijoi mundësinë kësaj shoqërie, që të shfrytëzojë bregun e detit për stacion plazhi përballë kompleksit. Hapësirë kjo, që është pronë e paluajtshme publike.

Për të menaxhuar stacionin e plazhit në breg, firma ka një marrëveshje bashkëpunimi me një shoqëri me përvojë. Por kjo shoqëri është në pronësi të partneres së vëllait të deputetes Xhaçka.

Polemikat disamujore mbi çështjen e mandatit deputetes Xhaçka pritet të kalojnë me votim në seancë plenare të dy raporteve pro e kundër të opozitës dhe socialistëve, ku këta të fundit kanë shumicën e votave. Deputetët opozitarë bënë të ditur, që edhe pasi socialistët të votojnë pro ministers dhe deputetes së tyre, ata do ta dërgojnë çështjen në Gjykatë Kushtetutese, për një shqyrtim mbi kompetencat e Kuvendit në këtë proces./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit