Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se kundërshtarët e reformës në Drejtësi, po i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta penguar atë dhe rezultatet e arritura. Ambasadorja Kim i bëri këto komente në ceremoninë e 30-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese. Fjala e saj dukej se i drejtohej më së shumti njerëzve të politikës, kur u shpreh se koha e telefonatave, dhuratave e kërcënimeve ka marrë fund.
“Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni, ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund!”, deklaroi ambasadorja Kim.
Ambasadorja amerikane pati dhe një thirrje drejtuar gjykatësve dhe prokurorëve.
“Mjaft iu përgjigjët atyre telefonatave, pranuat dhurata dhe frikësuat nga ato kërcënime. Lërini shqiptarët të marrin frymë. Lërini të jenë të lirë”, theksoi zonja Kim.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha deklaroi se as ky institucion nuk i ka shpëtuar trysnisë politike.
Edhe ambasadorja e Bashkimit europian, Christiane Hohmann, i mëshoi rëndësisë së Reformës në Drejtësi dhe institucioneve të reja të krijuara, duke e konsideruar reformën “një nga arritjet kryesore që i mundësoi Shqipërisë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit”.
Presidenti Bajram Begaj, citoi raportin e fundit të Komisionit europian për Shqipërinë, i cili “ka vlerësuar progresin në institucionet e reja të drejtësisë, por ka vënë në dukje edhe problematikat, që kanë cenuar eficensën e sistemit gjyqësor”.
Gjykata Kushtetues ishte institucioni i parë që ndjeu pasojat e forta të procesit të rivlerësimit. Për një kohë të gjatë ajo nuk mundi të ushtrojë funksionet, pasi shumica dërrmuese e anëtarëve të saj u lane jashtë sistemit ose dhanë dorëheqjen. Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 8 nga 9 anëtarët që përbëjnë trupën e gjyqtarëve të saj. /VOA