Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca hodhën poshtë akuzat e Moskës se Kievi po planifikon shpërthimin e një bombe radioaktive në territorin e vet, ndërsa akuzuan Kremlimin se synon të krijojë një rrezik të rremë për të përshkallëzuar luftën në Ukrainë.
Pretendimi i Moskës bëhet në një kohë që forcat ruse po pësojnë humbje në terren në Ukrainë.
Vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se po sajon një rrezik bërthamor, sikur Ukraina kërkon të shpërthejë një bombë radioaktive në territorin e vet, si pretekst për përshkallëzimin e luftës.
Ndërsa forcat ukrainase përparojnë në provincën e Khersonit, të kontrolluar nga Rusia, ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu telefonoi homologët perëndimorë të dielën dhe u tha se Moska dyshon se Kievi po përgatit “një provokim” me një bombë radioaktive.
Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe ministrat e jashtëm të Francës dhe Britanisë thanë se vendet e tyre i hedhin poshtë akuzat e Moskës dhe rikonfirmojnë mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
“Këto janë akuzat të rreme që përhapë Rusia se Ukraina po planifikon përdorimin e bombave radioaktive në territorin e saj”, thanë ata.
Këto bomba shpërndajnë lëndë radioaktive përmes shpërthimit.
Ato nuk kanë efektin shkatërrues të një shpërthimi bërthamor, por mund të ekspozojnë zona të gjera ndaj ndotjes radioaktive.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se pretendimet e bëra nga ministri rus i mbrojtjes nënkuptojnë se Moska po krijon terren që të përdorë vetë bomba të tilla dhe të fajësojë për to Ukrainën.