Një tingull i frikshëm, që të kujton skena nga ndonjë film horror… ky është tingulli i fushës magnetike të Tokës, i cili është regjistruar për herë të parë.
Siç njoftoi Agjencia Evropiane e Hapësirës ( ESA ), shkencëtarët në Universitetin Teknik të Danimarkës morën sinjale magnetike të regjistruara nga satelitët European Swarm dhe i konvertuan në tinguj.
Në fakt vetë fusha magnetike rreth planetit tonë nuk mund të shihet apo dëgjohet drejtpërdrejt.
Është një “flluskë” komplekse dhe dinamike që na mban të sigurt nga rrezatimi kozmik dhe grimcat e ngarkuara të “erës” së fuqishme diellore.
Fusha magnetike e Tokës prodhohet kryesisht nga një “oqean” prej hekuri të shkrirë shumë të nxehtë dhe rrotullues në bërthamën e jashtme të planetit tonë, i cili gjeneron rryma elektrike, të cilat nga ana e tyre gjenerojnë fushën elektromagnetike.
“Treshja” e satelitëve të misionit Sëarm të ESA-s, të nisur në vitin 2013, studion fushën magnetike të Tokës duke regjistruar saktësisht sinjalet e saj. Studiuesit dhe muzikantët danezë përdorën këto të dhëna magnetike, si nga bërthama e Tokës, ashtu edhe nga një stuhi gjeomagnetike e krijuar pas një shpërthimi diellor, për ta kthyer atë në tinguj, të cilët tingëllojnë paksa të frikshëm.
Siç deklaruan ata, qëllimi i tyre nuk është t’i trembin njerëzit, por t’i kujtojnë se fusha magnetike ekziston dhe, megjithëse tingëllon disi alarmante, në fakt jeta në Tokë varet prej saj.
Një seri altoparlantësh në sheshin Solbjerk të Kopenhagës do të transmetojnë periodikisht tingujt e fushës magnetike gjatë gjithë javës së 24-30 tetorit.