Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi shpalli sot kandidaturën për kryetar bashkie në Tiranë. Me vendimin e sotëm, Këlliçi bëhet gati për primaret që do të zhvillojë kjo forcë politike.
Dhe nëse arrin që të fitojë garën brenda partisë atëherë do të përballet me Erion Veliajn. Por cila është karriera e demokratit të ri, që synon të bëhet qytetari i parë i kryeqytetit.
Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të 2015.
Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike. Ai ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2009 është kthyer në Shqipëri.
Në garë për bashkinë e Tiranës, Këlliçi shpall zyrtarisht kandidaturën
Belindi është shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në universitetin Coppin State University, ku është diplomuar për shkenca menaxhimi.
Në Dhjetor 2015, Belindi është zgjedhur Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në një proces “një anëtar, një votë”.
Në Shkurt të vitit 2021, kryetari i Partisë Demokratike, asokohe Lulzim Basha, i dha detyrën e drejtuesit politik të fushatës në Qarkun e Tiranës dhe një muaj më pas, Belind Këlliçi u nominua nga Partia Demokratike si kandidat për deputet të qarkut Tiranë.
Në zgjedhjet e 25 Prillit, Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë, ku grumbulloi 11,851 vota preferenciale.
Pas ndryshimeve të Partisë Demokratike në vitin 2021, në 30 Gusht 2021, Belind Këlliçi u zgjodh Sekretari i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës, një departament i krijuar për herë të parë brenda kryesisë së PD.
Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD Sali Berishën, Belind Këlliçi pati një periudhë hezitimi disa mujore dhe më pas iu bashkua Foltores.
Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD.
Gjatë Kuvendit Kombëtar u krijua Komisioni i Rithemelimit të PD, mandati i të cilit zgjati deri në 22 maj, ditën e zgjedhjes së Sali Berishës si kryetar i PD. Belindi ishte pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Ai gjithashtu drejtoi punimet e Kuvendit Kombetar të 30 prillit 2022.
Belind Këlliçi ka një raport pozitiv me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në protestën e 6 janarit të grupit të Berishës në selinë e PD-së, Ilir Meta zbuloi mesazhet që i çoi deputetit demokrat duke i kërkuar që të ruajnë gjakftohtësinë.