Dështimi i Italisë për t’u pajtuar me të kaluarën e saj fashiste është bërë dukshëm i qartë ndërsa përgatitet për të shënuar të premten, 100 vjetorin e Marshimit në Romë që solli në pushtet diktatorin totalitar Benito Musolini. Një moment historik që përkon me qeverinë e parë të pasluftës që udhëhiqet nga një parti me rrënjë neofashiste, e cila sapo ka marrë detyrën.
Simbolika duket shqetësuese: partia e ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë e Giorgia Melonit ruan emblemën e flakës të përdorur nga fashistët; bashkëthemeluesi i partisë së saj, Ignazio La Russa, emri i dytë i të cilit është Benito dhe shtëpia e të cilit është e mbushur me kujtime mbi fashizmin, u zgjodh kryetar i dhomës së lartë të Parlamentit.
Zonja Meloni është përpjekur ta distancojë partinë Vëllezërit e Italisë nga rrënjët e saj neofashiste. Ajo bëri deklaratën e saj më të qartë deri më tani, këtë javë, gjatë një fjalimi në dhomën e ulët të parlamentit italian përpara votëbesimit të qeverisë së saj.
“Kurrë nuk kam ndjerë simpati apo afërsi me regjimet jodemokratike, përfshirë fashizmin, pasi gjithmonë i kam konsideruar ligjet racore të vitit 1938, si pikën më të ulët në historinë italiane, një turp që do të mbetet mbi popullin tonë përgjithmonë”, tha zonja Meloni përpara dhomës së ulët të parlamentit të mërkurën, duke iu referuar ligjeve të Musolinit që persekutonin komunitetin hebre të Italisë.
