Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë fjalës në Konventë e vendosi theksin te rinia dhe plani për të parandaluar largimet dhe rritjen e punësimit.
Ai tha se me PL-në në pushtet do të miratohen Zonat e Lira Dixhitale, ku mijëra të rinj mund të zhvillojnë biznesin vetë si sipërmarrës, duke u ofruar taksa shumë të ulëta.
“Shqipëria u përket të rinjve, ndaj ne nuk do të kursehemi për të financuar fuqimisht arsimin cilësor në të gjithë nivelet e tij.
Për t’i dhënë rinisë shqiptare aftësitë e duhura për të konkurruar në tregun e punës. Një arsim cilësor që përkthehet në treg pune profesional me paga të mirëpaguara.
Modeli i shkollës Peter Mahringer në Shkodër, i mbështetur nga Qeveria Austriake.
Do të jetë për ne shembulli i shkëlqyer që duhet të implementojmë për realizimin e shkollave profesionale në të gjitha qytetet kryesore të vendit.
Arsimi cilësor profesional është vendimtar për suksesin e të rinjve tanë në tregun e punës, për paga të mirëpaguara.
Të rinjtë dhe të rejat shqiptarë kanë treguar qartë aftësitë e tyre në fushën informatike, gjë kjo krijon mundësi reale për një punësim të mirëpaguar.
Ne do të mbështesim fort arsimimin në fushat e Teknologjisë së Informacionit, që në arsimin më të hershëm, por edhe për ata që kanë një profesion aktualisht dhe kërkojnë të aftësohen.
Ne do të propozojmë Zonat e Lira Dixhitale, ku mijëra të rinj mund të zhvillojnë biznesin vetë si sipërmarrës, duke i ofruar taksa shumë të ulëta, por do të krijohen edhe mundësi të gjera punësimi” tha ai.