Briken Sanaj është ekzekutuar nga persona ende të paidentifikuar, që tashmë janë në kërkim nga policia.
Burime për mediat bëjnë me dije se 39-vjeçari sapo kishte parkuar makinën në garazh dhe më pas kishte takuar disa miq të tij. Në këtë moment, autorët i janë afruar me makinë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij.
Në mjetet e identifikimit të gjetura tek viktima, mbajnë emrin Briken Sanaj, ndërkohë roja i rezidencës ku jetonte 39-vjeçari, thotë se ai njihej me emrin Anton Gjini.
Sanaj u dërgua menjëherë në spital pas ngjarjes, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Disa minuta pas vrasjes, në zonën e Qafë-Kasharit është gjetur një makinë duke u djegur, e cila dyshohet se i përket autorëve.
Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona të cilët do të merren në pyetje për ngjarjen. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të vrasjes.
Njoftimi paraprak i policise:
Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Janë shoqëruar disa persona në Polici.
Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.