Majtisti Luis Inacio Lula da Silva fitoi të dielën ndaj presidentit Jair Bolsonaro në raundin e dytë të zgjedhjeve që shënojnë një rikthim spektakolar për zotin Lula dhe fundin e qeverisë më të djathtë të Brazilit në dekada.
Zoti Lula fitoi 50.9% të votave krahasuar me 49.1% për presidentin Bolsonaro, tha Gjykata e Lartë Zgjedhore, duke shpallur ish-presidentin Lula fitues. Inaugurimi i 77-vjeçarit Lula do të bëhet më 1 janar.
Rezultati i votimeve ishte një kritikë për populizmin e zjarrtë të së djathtës së skajshme të zotit Bolsonaro.
67 vjeçari Bolsonaro, i cili prej vitesh ka bërë pretendime të pabaza se sistemi i votimit në Brazil është i ekspozuar ndaj manipulimeve, nuk është shprehur për rezultatin.
![](http://5pyetjet.al/wp-content/plugins/a3-lazy-load/assets/images/lazy_placeholder.gif)
“Demokraci,” shkroi zoti Lula në Twitter.
Ai u përshëndet nga përkrahësit e entusiazmuar në një tubim në Sao Paulo përpara se të mbante një fjalim.
Udhëheqësit duke filluar nga Presidenti amerikan Joe Biden, Emmanuel Macron i Francës dhe Alberto Fernandez i Argjentinës i dërguan zotit Lula mesazhe urimi.
Presidenti i ardhshëm është zotuar për një rikthim të rritjes ekonomike nën drejtimin e shtetit dhe politika sociale që ndihmuan në nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria kur ai ishte president nga viti 2003 në 2010. Ai gjithashtu premton të luftojë shkatërrimin e pyjeve tropikale të Amazonës dhe ta bëjnë Brazilin një udhëheqës në bisedimet globale për klimën.
Një ish-udhëheqës sindikatash i lindur në varfëri, zoti Lula organizoi greva kundër qeverisë ushtarake të Brazilit në vitet 1970. Presidenca e tij me dy mandate u sshoqërua nga një bum ekonomik dhe ai u largua nga posti me një popullaritet rekord./VOA