Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj Kadri Veselit.
Në shkresën e prokurorisë thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë konstatuar secila në disa raste se paraburgimi i Veselit ishte merituar sipas rrethanave.
“Që nga vendimi më i fundit, më 26 shtator 2022, nuk ka pasur ndonjë rrethanë ndryshimi që do të sugjeronte një përcaktim tjetër dhe Veseli nuk bën asnjë parashtresë me argumentin se paraburgimi nuk është më i garantuar”, thuhet në parashtresë të prokurorisë.
Veseli thuhet se vazhdon të përmbushë rrezikun e aplikueshëm të arratisjes, shkruan Betimi për Drejtësi.
Sipas tyre, ndikimi i Veselit gjithashtu mbetet i pa zvogëluar që nga vendimi i fundit i paraburgimit, gjë që mund ta ndihmojë atë në shmangien e procedurave të DhSK-së.
Po ashtu thuhet se faktorët e vlerësuar nëse ekziston rreziku i pengimit të procedurave sipas nenit 41(6)(b)(ii) janë gjithashtu të rëndësishëm kur shqyrtohet nëse ekziston rreziku i krimeve të mëtejshme nëse Veseli do të lirohet.
Prokuroria thotë se sipas nenit 41(6)(b)(iii) mjafton të ekzistojë besimi i rrezikut që Veseli të nxisë ose të ndihmojë të tjerët të kryejnë krime, ose të kontribuojë në ndonjë mënyrë tjetër në kryerjen e tyre.