Arrestohet një person në Tiranë, pasi furnizonte klinika dhe laboratore dentare me produkte dhe materiale dentare, të dyshuara të kontrabanduara. Sekuestrohen produktet dhe materiale të ndryshme dentare.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Rrugën e Bogdanëve, automjetin me drejtues shtetasin V. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, produkte dhe materiale të ndryshme dentare, të dyshuara të kontrabanduara, me të cilat ky shtetas furnizonte klinika dhe laboratore dentare, në zona të ndryshme të Tiranës.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.