Prokurori i Durrësit, Ilir Turja është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi kishte probleme me kriterin e pasurisë.
Turja u përball të enjten më 3 nëntor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore kundërshtoi analizën financiare që e kishte nxjerrë me mungesa të mëdha financiare për ndërtimin e një objekti të regjistruar në emrin e babait të tij në vendin e quajtur “Plazhi i Durrësit”.
Për të kishte dyshime edhe për fshehje të kësaj pasurie në emër të familjarëve. Ilir Turja e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai punonte prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.