Presidenti i Ukrainës thotë se është i gatshëm për negociata “të vërteta”
Para se t’u drejtohet udhëheqësve botërorë në Samitin global për Klimën, këtë të martë, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij është i gatshëm të shqyrtojë negociata “të vërteta” me Rusinë.
Zoti Zelensky tha se vendi i tij është i hapur për bisedime me Moskën nëse Ukrainës i kthehen kufijtë, nëse kompensohen viktimat e pushtimit dhe sulmit rus dhe bëhen përpjekje që autorët të vihen para përgjegjësisë.
Deklaratat e Presidentit vijnë pas një artikulli të gazetës “Washington Post” në të cilin shkruhej se Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të tregojë gatishmëri për bisedime për paqe. Kjo gatishmëri, sipas artikullit, do të forconte mbështetjen ndërkombëtare për Kievin.
Kreu i Këshillit Kombëtar për Mbrojtje dhe Siguri të Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se kushti kryesor për të shqyrtyar këtë mundësi ishte rikthimi i integritetit territorial të Ukrainës.
Danilov shtoi se është e nevojshme të merren garanci për mbrojtje ajrore moderne, avionë, tanke dhe raketa me rreze të gjatë, duke forcuar thirrjen për vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare./VOA