-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjobitet koncesionari i parkimit në aeroportin e Rinasit

Kryesoret

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 1.6 milionë lekë koncesionarin e parkimit në Aeroportin e Tiranës. Në janar të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim të thelluar për “Star parking Albania” me administrator Altin Metën për shkak të dyshimeve të abuzimit me pozitën dominuese në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport).

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, Autoriteti i Konkurrencës shpjegon arsyet e gjobitjes së kompanisë “Star Parking Albania” në vlerën e 1% të xhiros vjetore ose rreth 1.6 milionë lekë. Në verifikim ka qenë periudha 1 janar 2019 – 31 dhjetor 2021.

Autoriteti i Konkurrencës deklaron se angazhimet e depozituara nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK janë të mjaftueshme për të adresuar shqetësimet e konkurrencës në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport), duke i përcaktuar këto angazhime si të detyrueshme, në formën e kushteve dhe detyrimeve.

“Star Parking Albania duhet të hartojë një metodologji për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepasit dhe të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos, për ndërmarrjet që pajisen me telepas si dhe për çdo shërbim tjetër” thuhet më tej. Në raport thuhet më tej se “Star Parking Albania” do të monitorohet për një periudhë 1 vjeçare.

VENDIMI I PLOTE

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 09.11.2022, vendosi për mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport), gjobitjen e ndërmarrjes Star Parking Albania SHPK dhe miratimin e angazhimeve të kësaj ndërmarrje si të detyrueshme, në formën e kushteve dhe detyrimeve.

Autoriteti i Konkurrencës, pas verifikimit të dokumentacionit të depozituar nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK e vlerësoi këtë dokumentacion si jo të plotë, duke mos pasur informacion thelbësor si për analizën e detajuar për formimin e çmimit të telepasit, kopje të kontratave të lidhura me subjektet që operojnë në tregun e transportit të udhëtarëve si dhe për çdo subjekt tjetër, për periudhën 1 janar 2019 – 31 dhjetor 2021, si dhe shpjegimet përkatëse për subjekte të cilave nuk ju është rinovuar kontrata e qerasë për vitin 2022, duke vështirësuar procedurat hetimore sipas ligjit nr.9121/2003.

Në vijim, Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se, angazhimet e depozituara nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK janë të mjaftueshme për të adresuar shqetësimet e konkurrencës në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport), duke i përcaktuar këto angazhime si “të detyrueshme” në formën e kushteve dhe detyrimeve.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin nr. 921, datë 09.11.2022, vendosi:

I. Mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Star Parking Albania SHPKnë tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport).

II. Gjobitjen e ndërmarrjes Star Parking Albania SHPK në masën 1% të xhiros të vitit paraardhës financiar, përkatësisht në shumën 1,614,899 (një milion e gjashtëqind e katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e nëntë) Lekë.

III. Miratimin e angazhimeve të depozituar nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK, si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve, si më poshtë vijon:

  1. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK të hartojë një metodologji për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepasit;
  2. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos, për ndërmarrjet që pajisen me telepas si dhe për çdo shërbim tjetër;
  3. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK nuk do të zbatojë kushte të pabarabarta me ndërmarrjet të cilat lidhin kontratë me Star Parking për tu pajisur me telepas, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence.

IV. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK ka detyrimin të mos abuzojë me pozitën dominuese veçanërisht:

  1. vendosjen, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit;
  2. kufizimin e prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik;
  3. zbatimin e kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
  4. vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

V. Në rast të mos përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në dispozitivin e këtij vendimi, ndërmarrja Star Parking Albania SHPK në zbatim të nenit 76, pika 1, germa (a) të ligjit nr. 9121/2003 ndëshkohet me penalitetin përkatës.

VI.  Për përmbushjen e kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në pikën III të këtij vendimi, ndërmarrja Star Parking Albania SHPK do të monitorohet për një periudhë 1 vjeçare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit