Prodhuesit e produkteve të bulmetit vijojnë të jenë në vështirësi për gjendjen e qumështit të lopës.
Rënia e prodhimit të qumështit të lopës nga fermat aktualisht ka shtuar në tregje mungesën e djathit të lopës.Fabrikat pohojnë se me vështirësi po plotësojnë kërkesën me qumësht importi.
Përpunuesit e qumështit parashikojnë edhe rritje tjetër të çmimeve të qumështit të deles dhe të dhisë deri 30% më shtrenjtë nga mars 2023 për shkak të kërkesës së lartë dhe ofertës së ulët.
Donjaldo Hoxha drejtori i shoqatës Industria e Përpunuesve së Qumështit pohoi për Monitor se aktualisht në frigoriferët e produkteve të stazhinuara të fabrikave prodhuese ka më pak sasi të djathit të lopës krahasuar me vitin e kaluar.
“Kjo ka ardhur si pasojë e sasisë së ulët të qumështit të grumbulluar në muajt e verës, por gjithashtu edhe për shkak se prodhuesit në këtë periudhë iu përgjigjën kërkesës më lartë për produkte në periudhën e sezonit turistik”.
Fabrikat e qumështit thanë për Monitor se aktualisht gjenden në vështirësi për gjetjen e qumështit të lopës edhe pse çmimi i tij është rritur 30 deri 40% . Nga fermat e vogla çmimi i qumështit të lopës shitet 70 lekë për litër, ndërsa nga fermat më të mëdha 80 lekë për litër.
“Tashmë u bë 1 vit që në treg qumështi i lopës gjendet me vështirësi. Në muajt korrik -gusht kemi qenë me mungesë të djathit të stazhinuar.
Edhe pse fermat e mëdha të mbajtjes së lopëve janë rritur në raport me reduktimin e fermave të vogla zgjerimi i tyre nuk ka efekt te prodhimi. Rënia e fermave të vogla ka ardhur për shkak të emigrimit të rinjve.
Sasia e qumështit të lopës së grumbulluar në 2021 në raport me 2020 ishte 7% më pak sipas të dhënave të INSTAT. /MONITOR