Shteti e do në burg, rivalët në varr. Prej fillimit të muajit tetor Pëllumb Muharremi, i njohur dhe me nofkën “Rumi” i Shijakut është shpallur në kërkim dhe policia nuk ka asnjë gjurmë të tij.
“Rrumi” u shpall në kërkim pasi folën dy vëllezërit, Indrit dhe Gentian Beqiraj. Ai është shpallur në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë, pengmarrje.
Dyshohet se Laho organizoi rrëmbimin e dy vëllezërve Beqiraj në autostradën Tiranë-Durrës, pasi këta të fundit po planifikonin ta vrisnin.
Dy vëllezërit Beqiraj më pas bashkëpunuan me policinë duke treguar disa nga atentatet e ndodhura në Tiranë e Durrës.
Kush është ‘Rrumi i Shijakut’?
I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi”, ishte ‘mik’ i ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.
Ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit disa vite më parë. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.
Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë.
Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës.
Ndërsa së fundmi, e kishte ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.