Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një gjuhë të ashpër dhe fyese kundër opozitës lidhur me portin e Durrësit. Për të mbrojtur projektin e portit, Rama po tenton që të përplasë qytetarët durrsakë me opozitën, që sipas tij po bllokon marrëveshjen.
“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon, i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra” shkruan Rama.
Opozita e ka kundërshtuar fuqishëm këtë marrëveshje që ka shumë mistere dhe pikëpyetje nga marrëveshja për faljen e truallit për kompanitë që do të ndërtojë pallate dhe deri te fakti se kush qëndron pas projektit, që qeveria si “ambalazh” ka përdorur emrin e arabit Alabar.
Biznesmeni Mohamed El Alabar rezulton se është pronar i 40 përqind të aksioneve të “North East Real Estate Holding”, njërës prej kompanive që do të ndërtojë, ndërkohë pronësia e pjesës tjetër mbetet mister.