Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë janë tensionuar në javët e fundit për shkak të fluksit të emigrantëve shqiptarë.
Por në çeljen e ekspozitës që shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Mbretërisë së Bashkuar edhe Shqipërisë, Ambasadori Alastair King-Smith foli për vlerën e jashtëzakonshme të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve.
“Siç jeni në dijeni nga raportimet e fundit në media, ne po përballemi me një sfidë të përbashkët, rritjen e numrit të shqiptarëve që po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme.
Të dy qeveritë tona po punojnë bashkarisht për t’u treguar njerëzve se ka alternativa, qoftë këto të lidhura me mundësitë e vlefshme brenda Shqipërisë apo përmes rrugëve të ligjshme për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ne po punojmë për të garantuar që komuniteti shqiptar të marrë vlerësimin e duhur për kontributin e tij dhe që shqiptarët këtu të mos mendojnë se zgjidhja e vetme është të braktisin vendin”, -tha ambasadori britanik Alastair King-Smith.
Përgjatë vitit 2022, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kremtojnë marrëdhëniet që lidhin bashkë dy vendet dhe popujt tanë.