Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka reaguar ndaj protestave në parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Në një njoftim në Facebook, ministria ka sqaruar se ka dhe parqe të tjera si ai i Dajtit, Syrit të Kaltër dhe Kune Vain që janë me pagesë po s’ka pasur probleme të tilla.
Ajo është shprehur se kjo po bëhet për të orientuar fluksin turistik dhe si dhe do të bëhet i mundur përcaktimi i saktë i numrit të vizitorëve dhe turistëve, regjistrimi i mjeteve motorike dhe gjenerimi i të ardhurave.
“Bëhet fjalë për një biletë modeste në vlerën 50 lekë, për të rritur shërbimet dhe mirëmbajtur parkun. Kjo biletë do aplikohet vetëm për turistët dhe prej saj përjashtohen banorët e zonës.
Kudo në botë, parqet kombëtare duhen mirëmbajtur në mënyrë të veçantë për shkak të frekuentimit të lartë nga turistët. Ne kemi disa raste në Shqipëri ku kjo praktikë është aplikuar si në Dajt, në Syrin e Kaltër, Kune Vain Lezhë dhe nuk ka pasur asnjë problem.
Për më tepër që banorët përjashtohen nga tarifa, e cila për turistët është simbolike, por e mjaftueshme për ta pastruar, mirëmbajtur dhe investuar në zonë, çka do të sjellë më shumë vizitorë e më shumë të ardhura për zonën dhe banorët,” ka njoftuar ministria.