Sot bëhen 9 vite nga ndarja para kohe nga jeta e ish-deputetit demokrat Sokol Olldashi. Ai u nda nga jeta në një aksident tragjik teksa udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës më 20 nëntor të 2013.
Vëllai i Sokol Olldashit, Ardian Olldashi ka postuar disa vargje në Facebook, shoqëruar me një foto kur ishin fëmijë dhe me mbishkrimin “Njerëzit e zakonshëm lënë një shenjë…të veçantët lënë një ëndërr …”.
Miku i tij, Leonard Olli gjithashtu ka shkruar disa fjalë për Olldashin. “Shumë mund të thuash për Kolin! E sado të thuash e të shkruash, sërish pamjaftueshëm është! Koha të trajton me harresë e po ajo do të bekon në kujtesë….
E Koli e meritoi këtë privilegj që shumë pak e kanë… Një lutje kam mik: Mos na vej shumë në lojë nga aty lart nëse ne sheh ndonjëherë, me sarkazmën tënde të hollë…. Të paktën mbetëm spektatorë në teatrin e madh të kukullave që luhet çdo ditë…
E di që do thoje se fatin e bëjmë vetë, por më beso, se e keqja nuk ka fund! Nuk është keq nëse ia dolëm e shpëtuam nga lidhja e fijeve që të lëvizin lart e poshtë jashtë vullnetit tënd…. Nuk jemi të dobët, thjesht qenia ka momente dobësie… Qofsh mirë mik!” mbyllet postimi i tij.