Sot prokuroria e posaçme vendosi që të sekuestrojë mbi 400 mijë 2 tokë në Gjirin e Lalzit dhe të shpallte në kërkim, duke prerë fletën e dytë të arrestit për Pëllumb Muharremin (Aleksandër Laho) i njohur edhe me nofkën “Rrumi” i Shijakut.
Ai akuzohet se i pagoi 9 milionë lekë për tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalzit ish-zyrtarit të avokatit të shtetit, pa llogaritur të tjerët që kishte në “thes”.
Kush është ‘Rrumi i Shijakut’?
I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi”, ishte ‘mik’ i ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.
Ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit disa vite më parë. Për atentatin është arrestuar dhe akuzuar nipi i deputetit Rrahman Rraja, Redjan Rraja.
Ai dyshohet se është një nga personat që mori pjesë në atentatin ku mbetën të plagosur ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, Pëllumb Muharremi dhe Andi Maloku që më pas vdiq në spital.
Kush donte ta vriste?
Në muajin tetor dëshmitë e dy vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj çuan pas hekurave 14 persona të dyshuar për porositje dhe vrasje, 5 janë ende në kërkim.
Mes personazheve që kërkohen nga policia është edhe “Rrumi” i Shijakut. Laho ishte në shënjestrën e dy vëllezërve, që thanë se ishin porositur për ta ndjekur dhe për ta vrarë.
Por kush e do të vdekur? Porosia sipas vëllezërve erdhi nga Belgjika, Kasandër Noga përmes Kevin Zenelit. Por plani u zbulua nga vetë shënjestra.
Dyshimet se përse e donin të vdekur “Rrumin” janë disa; nga konfliktet mes bandave për territor, larja e hesapeve, por edhe pronat në bregdet.
Ky është personazhi i dytë i fortë në kërkim në muajt e fundit. Tashmë policia nuk është e fokusuar vetëm te Ervis Martinaj për të mësuar fatin e tij, por edhe te kapja e “Rrumit” që përpos policisë, ashtu si “mbretin” e basteve e kërkojnë edhe armiqtë.