Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka dërguar në kuvend një amendament për uljen e TVSH për produktet e shportës.
Sipas një postimi të bërë në Facebook, Vasili ka sqaruar se TVSH duhet të ulet nga 20% në 5%. Ai ka treguar se një amendament i tillë është votuar dhe në vendet e BE-së më herët për të harmonizuar TVSH-në.
“Ky amendament duhet votuar me unanimitet në Parlament.
Edhe qeveria duhet ta votojë sepse ndihmohen qytetarët e thjeshtë dhe ata në nevojë në mënyrë të veçantë.
Qeveria votoi për të kompensuar çmimet e materialeve të ndërtimit për kompanitë, që kishin fituar tenderat me 99% dhe nuk mund të ketë kurajë të votojë kundër këtij amendamenti.
Qytetarët do të shikojnë me sytë e tyre të enjten në seancë plenare në Kuvend se kush do të votojë ‘pro’ dhe ‘kundër’ tyre,” është shprehur ai.