Pak ditë më parë në parlament kaloi marrëveshja për portin e ri të Durrësit. Opozita akuzon se qeveria e ka “ambalazhuar” projektin me emrin e Mohamed Alabbar dhe pas qëndron vetë Edi Rama me kompani në offshore. Biznesmeni arab shprehet se do ta kthejë Durrësin në “Monakon” e Mesdheut.
“Kur të përfundojë, do të jetë marina më e madhe e superjahteve e parë ndonjëherë në Mesdhe dhe një transformim i plotë i një pjese të bregdetit shqiptar në qytetin e Durrësit.
Bota ka nevojë për më shumë se një Monako, dhe këtu do të jetë e dyta. Unë e dua Monakon, por është kaq e vogël dhe kërkesa është kaq e lartë. Kështu që këtu është premtimi im: Unë do t’i jap botës një tjetër Monako.
Është një fakt me të cilin askush nuk mund të debatojë, se prona pranë ujit është rreth 35% më e lartë në vlerë. Jo vetëm pika të tilla janë të kufizuara në mbarë botën, por ka zona shumë të kufizuara në Mesdhe ku mund të bësh diçka të tillë. Dhe shumë thjesht, të jetosh pranë ujit dhe jahteve është një mënyrë jetese e pabesueshme.
Shqipëria është sekreti i fundit në Europë. Njohuritë e mia të mëparshme më kanë shërbyer mjaft mirë që mund të bëj diçka që nuk është bërë kurrë më parë. Dhe ajo që po bëjmë është përzierja e artit tonë me ushqimin dhe muzikën.
Njerëzit duan, kërkojnë, një jetë të bukur, ndaj këtë po planifikojmë të ofrojmë këtu. Kur e krahason Shqipërinë me pjesën tjetër të rajonit, është vlera më tërheqëse në krahasim me të gjitha vendet përreth.
Kam tridhjetë vjet që e bëj këtë, ndaj e di që kur bëhet fjalë për toka të virgjëra, ata që nuk janë buzë ujit, ata që vijnë dhe blejnë të parët do të dyfishojnë në minimum vlerën e pronës së tyre.
Në Downtown Dubai ishte trefishi i vlerës fillestare, po ashtu edhe me projektet që bëmë në Serbi. Në Egjipt pamë katërfishin e vlerës së dorëzuar për blerësit” tha ai për mediat arabe. Opozita pret fjalën e fundit nga Presidenti për ta çuar më pas dosjen në Kushtetuese, si shansi i fundit për ta bllokuar.