Aeroporti ‘Nënë Tereza’ ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve në 2021, duke rikuperuar me shpejtësi pas pandemisë. Tregu i fluturimeve në vend rezulton të jetë rritur me 123% për periudhën 2020-2021, sipas INSTAT, duke tejkaluar edhe mesataren e Bashkimit Europian që ishte 35%, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.
Shqipëria rezulton e treta në Europë, pas Malit të Zi (151%) dhe Kroacisë (129%) për rikuperimin pozitiv në tregun e fluturimeve, duke lënë pas vende si Spanja, Italia, Austria, Zvicra, për të njëjtën periudhë si më sipër. Në terma absolutë, 2.9 milion shqiptarë zgjodhën fluturimet nëpërmjet ajrit gjatë 2021-it.
Heqja e kufizimeve, masat më të lehta krahasuar me shtetet e tjera të Europës, futja e linjave low-cost kanë bërë që tregu i fluturimeve në vend të marrë veten shpejt, por gjithësi në 2021-n numri i fluturimeve ishte 12% më i ulët se para pandemisë, në 2019-n.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se tregu është rikuperuar me shpejtësi në 2022-n, me numrin e personave që kanë fluturuar që vetëm për 10 mujorin ka arritur në 4.4 milionë pasagjerë, me rritje 82% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s dhe 66% në krahasim me 2019-n, periudhën para pandemisë.
Listën e kryeson Spanja me 91 milion pasagjerë nga të gjitha linjat ajrore, e ndjekur nga Gjermania me 73 milion pasagjerë dhe Franca me 66 milion pasagjerë gjithsej. Ecuria pozitive erdhi sidomos pas 2019, kur numrit i pasagjerëve u reduktuan me 73% gjatë pandemisë.
Krahasuar me vitin 2020, pesha e transportit jashtë vendeve BE-së u ul me 5,5 pikë përqindjeje, ndërsa transporti brenda BE-së u rrit me 4,5 pikë përqindje; transporti kombëtar u rrit me 1 pikë përqindje. /monitor