Prokuroria e Posaçme në Tiranë ka nisur dosjen drejt Spanjës për të kërkuar ekstradimin në Shqipëri të Gentian Funiqit, Alias Gentjan Martini, Alias Festim Olomani që u arrestua disa ditë më parë në gadishullin iberik.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”. Dosja bën fjalë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Në 17 Janar 2020, 49-vjeçari, baba i 4 fëmijëve, sipas SPAK dyshohet se u rrëmbye pasi njëri prej vëllezërve të tij që jetonte në Britani të Madhe kishte vjedhur një sasi të madhe kokaine grupit të Dritan Rexhepit dhe Gentian Funiqit.
Për zhdukjen e Jan Prengës është dënuar me burgim të përjetshëm Festim Bexhdili. Dritan Rexhepi që konsiderohet koka e grupit të trafikut u arratis nga drejtësia ekuadoriane pasi u lirua në detyrim paraqitje.