Mbrëmjen e djeshme policia e Tiranës bëri “bingo” pasi arrestoi një emër të shumëkërkuar. Bëhet fjalë për Gazment Kustën. 35-vjeçari ishte në kërkim për dhunë dhe plagosje. Policia thotë se kishte informacion në rrugë operative se Kusta po lëvizte me makinë që drejtohej nga një tjetër person. Automjetit i është shenjë për të ndaluar. Brenda saj si pasagjer gjendej edhe Kusta. 35-vjeçari po lëvizte në zonën e quajtur “Kodra e Priftit” kur efektivët e policisë e prangosën.
Për çfarë kërkohej?
Gazment Kusta njihet si person me precedent të theksuar kriminale. 35-vjeçari vjeçari rezulton i dënuar më herët jashtë Shqipërisë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Prej 22 shkurtit Kusta rezulton i shpallur në kërkim për dhunimin dhe kanosjen e Elvis Elezit në një lokal në zonën e Fushë-Krujës.
Dhunimi i Elezit ndodhi në lagjen “Bakushe Visha” në Krujë. Me 17 shkurt 2021, Kusta së bashku me tre persona të tjerë të maskuar u futën brenda një lokali me armë dhe shkopinj bejsbolli duke dhunuar Elvis Elezin, i cili ndodhej duke konsumuar një kafe. Shoku i Kustës u arrestua pak pas ngjarjes, ku u gjet dhe sekuestrua “Audi”.
Si nisi sherri?
Gazment Kusta dhe Elvis Elezi kanë qenë të dy bashkë në burg në Kroaci. Të dy kanë punuar bashkë në Kroaci, në aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike dhe janë arrestuar bashkë. Prishja e pazareve të drogës ka sjellë përplasjet mes tyre që nga Kroacia u shtrinë në Shqipëri. Edhe shpërthimi i tritolit në vitin 2020 në banesën e Elvis Elezit dyshohet se lidhet me përplasjet mes tyre.