Shqipëria duhet të frenohet nga zbatimi i Programit të Pasaportës së Artë të njohur edhe si Skema e Shtetësisë së Investitorëve dhe të shfuqizojë bazën ligjore për një program të tillë, duke aplikuar ndryshime të reja në Ligjin për Shtetësinë.
Ky rekomandim erdhi nga Komisioni Europian në raportin e tij të pestë në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave. Komisioni thekson se avancimi në një program të tillë mund të çojë në pezullimin e regjimit të vizave.
Ky rekomandim vjen teksa projekti i Marinës së Jahteve në Durrës, filloi në 8 dhjetor shitjen e apartamenteve dhe për blerësit potencialë të huaj në projektin “Marina & Jahtet e Durrësit” pritet që të bëhet një ligj i veçantë, që tu japë atyre nënshtetësinë.
Sipas vlerësimeve të bëra nga Komisioni Europian, një program për shtetësinë e investitorit mund të shërbejë për të anashkaluar procedurën e vizave me qëndrim të shkurtër të Bashkimit Europian, duke paraqitur rreziqe të mundshme migracioni dhe sigurie.
Komisioni Europian u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Shqipëri që të mos nisin një skemë të tillë pasi ajo mund të cojë në përfshirje në shumë afera të paligjshme si pastrim parash dhe afera të tjera të paligjshme, thuhet në artikullin e SchengenVisaInfo.com. /Monitor