Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim sot kishte dy mesazhe të forta për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut. Drejtuesi aktual i SPAK-ut Arben Kraja do të duhet që në 19 Dhjetor të lirojë zyrën. Në garë janë tre emra; Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Prapaskenat flasin se dëshira e amerikanëve është Dumani, ndërsa pushteti po lobon për Kondilin. Kulisat kanë nisur prej disa muajsh për pasardhësin e Krajës.
Nuk përjashtohet dyshimi që në funksion të kësaj lufte të heshtur, qëndron edhe njoftimi i paprecedentë pak ditë më parë i ministrisë së Jashtme që deklaroi se Yuri Kim po largohet nga Shqipëria. Sinjal i qartë për anëtarët e KLP-së nga duhet të anojnë.
Por sot, ambasadorja ishte e qartë kur tha dy mesazhe; së pari diplomatja deklaroi se ka tre vite këtu, aq sa është edhe mandati i një ambasadori, por theksoi se do të qëndrojë edhe “ca më gjatë” duke i dhënë një përgjigje edhe segmenteve brenda pushtetit që ndoshta nisën festën.
Por a do të thotë kjo se do i zgjatet mandati? Mbetet për t’u parë. Mesazhi i dytë në mënyrë indirekte, por ishte i qartë që shkonte për KLP-në që ka në dorë zgjedhjen e kreut të SPAK-ut. “Vendime që kush do të jetë këtu apo atje në krye të këtij institucioni, nuk mund të vazhdojmë kështu” tha ajo.
“Lufta” për kreun e ri të SPAK-ut, Yuri Kim jep dy mesazhe të forta: Do jem këtu