Pak ditë përpara zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka bërë një tjetër lëvizje të fortë.
Diplomatja ka takuar anëtarët e KLP-së që kanë në dorë votën dhe pikët për pasuesin e Arben Krajës. Yuri Kim thotë se u ka kërkuar që të jetë të drejtë dhe të vendosin pa frikë përballë presioneve që mund të kenë.
“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë dhe favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. 🇺🇸do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.
Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara” deklaroi Yuri Kim.
Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zgjidhet mes tre prokurorëve, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
I preferuari i SHBA-së duket se është Altin Dumani përballë Edvin Kondilit që sipas burimeve gazetareske preferohet nga pushteti.
Fakti që ambasadorja amerikane ka bërë disa reagime publike lë të kuptohet qartë se lobimi që po bëhet është shumë i fortë.