Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllu hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen me të pandehurit për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Të pandehurit;
Dritan Rexhepi
Gentjan Funiqi
Martin Bleta
Korado Keshteja
Artan Doçaj
Aldo Majnishta
Geraldo Martini
Altin Hajri
Akuzat
SPAK ka ngritur pesë akuza për personat që ka çuar në gjyq. “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal; “Fshehja dhe asgjesimi i kufomes”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
SPAK deklaron se i pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur datën 17.01.2020 në Kamëz, Tiranë. SPAK thotë më tej se hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.
Përse u vra?
Rrëmbimi ka ndodhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Angli.
Vëllai i Jan Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar rreth 283 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine, Ekuadori.
Nga përgjimet rezultoi se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion. Koka e grupit që është Dritan Rexhepi është arratisur nga drejtësia në Ekuador. Pak ditë më parë ai u dënua me 20 vite burg edhe nga drejtësia italiane.