Kombet e Bashkuara janë deklaruar në linjë me Bashkimin Evropian për të dënuar vendimin e rrjetit social Twitter, i cili ka pezulluar disa gazetarë që mbulojnë këtë gjigant teknologjik.
Gazetarët e mediumeve amerikane, New York Times, CNN dhe Washington Post, kanë qenë në mesin e personave që u është bllokuar qasja.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se liria e mediave “nuk është lodër”, derisa BE-ja e ka kërcënuar Twitter-in me sanksione.
“Elon Musk duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Ka vija të kuqe. Edhe sanksione, shpejt”, ka thënë Komisionarja e BE-së, Vera Jourova, duke iu referuar shefit të kompanisë Twitter.
Ministria e Jashtme gjermane ka reaguar po ashtu ndaj vendimit të Twitterit, duke thënë se “liria e mediave nuk mund të fiket dhe ndizet sipas dëshirës”.
Lajmi për pezullim të llogarive ka ardhur pasi Musk është zotuar se do të padisë pronarin e një profili që, sipas tij, gjurmon aeroplanin e tij privat./REL