Një tjetër oligark rus ka vdekur në rrethana misterioze. Dmitry Zelenov vdiq pasi u rrëzua nga shkallët më 9 dhjetor në qytetin Antibes në rivierën franceze.
50-vjeçari, ishte jashtë për darkë me disa miq kur filloi të ndihej i sëmurë. Pas kësaj, ai dyshohet se ra nga shkallët dhe pësoi lëndime fatale në kokë, sipas gazetës ruse të lajmeve Baza dhe gazetës lokale franceze Var Matin. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin dhe vdekja u konfirmua nga prokurori publik në komunën e afërt të Grasse të nesërmen, shkruan Dailymail.
Sipas kanalit Telegram të Baza, Zelenov po i nënshtrohej një operacioni për një problem në zemër disa javë para vdekjes së tij, megjithëse nuk u dhanë informacione të mëtejshme.
Zelenov ishte një bashkëthemelues i Don-Stroy, dikur një nga perandoritë më të rëndësishme të investimeve dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme të Moskës, të cilën e themeloi në vitin 1994. Ai u shfaq rregullisht në listën e Forbes të rusëve më të pasur deri në vitin 2008, kur Don-Story pësoi humbje të konsiderueshme financiare për shkak të krizës financiare.
Rrethanat e vdekjes së manjatit të pasurive të paluajtshme janë jashtëzakonisht të ngjashme me ato të Anatoly Gerashchenko, ish-kreu i Institutit të Aviacionit të Moskës, i cili vdiq pasi dyshohet se ra nga shkallët në selinë e institutit në Moskë në shtator.